Ky është tenderi i parë i këtij lloj i Parlamentit, ndërsa për këtë
qëllim janë planfikuar të shpenzohen 250 mijë euro. Nga Parlamenti i
Maqedonisë së Veriut shpalljen e këtij tenderi e kanë arsyetuar duke
thënë se deri më tani kanë pasur probleme për rezervime gjatë udhëtimit
të delegacioneve parlamentare dhe kështu që kanë vendosur që të kërkojnë
një agjenci e cila do të merret apostafat me këtë punë. Thonë se
provizionet e agjencieve nuk janë të mëdha, ndërsa në këtë mënyrë
procedura do të jetë më transparente.
“Kur deputetët udhëtojnë kemi probleme të mëdha për sigurimin e
hoteleve. Deri më tani këtë e kanë bërë më shumë shërbime të
parlamentit, varësisht se cili delegacion ka udhëtuar. Kanë mbledhur
oferta nga agjencit dhe është zgjedhur më e volitshmja. Tani plani është
që këtë punë ta bëjë një agjenci e veçant e cila duhet të ofrojë ofert
më të ulët për hotelet. Është një shumë e caktuar, por nuk do të thotë
se e gjitha duhet apo mund të shpenzohet, por në planin e furnizimeve
publike është projektuar në bazë të asaj se sa është shpenzuar viteve të
kaluara. provizionet e agjencive nuk janë të mëdha”, ka deklaruar
Cvetanka Ivanova, sekretare e përgjithshme e Parlamentit, transmeton
gazeta KOHA.
Sipas specifikimit të tenderit, nga ana tjetër Agjencia duhet që ti
ofrojë Parlamentit hotele minimum me tre yje të cilat janë në largësi
prej një kilometri nga vendi se ku mbahet takimi, ngjarja, forumi etj.
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi dhe deputetët planfikojnë që të
shpenzojnë 500 mijë euro për udhëtime në dy vitet e ardhshme. Përveç
këtij tenderi është shpallur edhe ai për rezervimin e biletave të
fluturimit. Edhe në këtë tender shuma e vlerësuar është 250 mijë euro
për dy vite. Kjo në praktik do të thotë se do të shpenzohen 680 euro në
ditë për udhëtim të deputetëve. Nga të cilat 340 euro për hotele dhe aq
edhe për bileta fluturimi.