Në tre vitet e fundit, blerjet onlajn janë intensifikuar, por është rritur edhe numri i ankesave, veçanërisht në sferën e shitjeve të paligjshme në internet.
“Numri më i madh i ankesave i referohet pikërisht shitjeve të ilegale, nga subjekte të paregjistruara në rrjetet sociale. Konsumatorët mashtrohen, u dorëzohen produkte me cilësi dhe ngjyra të ndryshme nga ato që kanë porositur, ndonjëherë dërgohen edhe lodra për fëmijë, ndërsa kanë porositur pajisje teknike. Gjithashtu nuk u dorëzohet as garanci. Këtu duhet pasur kujdes të veçantë”, thonë nga Organizata e konsumatorëve.
Janë regjistruar ankesa edhe për shkak të problemeve me kartelat pagesore.
“Ka raste kur konsumatorët kanë blerë diçka në një platformë, kanë vendosur kartelën dhe pas disa muajsh na telefonojnë për të na raportuar se nga kartela janë zbritur 2.000 – 3.000 euro. Kjo sepse konsumatorët nuk i kushtojnë rëndësi se ku e lënë kartelën, japin të dhëna dhe pas disa muajsh mund të tërhiqen para nga llogaria e tyre. Prandaj apelojmë vazhdimisht dhe edukojmë – të mos jepen të dhëna personale apo kartelat gjatë blerjeve onlajn”, thekson OKM.
Gjithashtu duhet pasur kujdes me shitësit onlajn, veçanërisht nëse konstatohet se nuk kanë lënë kontakt apo adresë.