Fermerët këtë vit do të marrin 99.8 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta, apo 10 milionë euro më pak se vitin e kaluar. Edhe të dyja shumat janë larg nga 160 milionë eurot për subvencione të premtuara në programin parazgjedhor të qeverisë. Ministri Nikolovski thotë se nuk është e mundur të krahasohet miratimi i programit të ri me realizimin e programit të mëparshëm. Por, paralajmëron se me rishikimin e buxhetit do të sigurohen fonde shtesë për të kompensuar vreshtarët që do të thotë më shumë para për bujqësinë.
“Tendenca e udhëzimeve që jepen edhe nga ana e atyre që tani nën monitorim të fortë i ndjekin politikat dhe realizimin shkon në drejtim që mbështetja e drejtpërdrejtë duhet të zvogëlohet në llogari të programit të zhvillimit rural. Por me buxhetin që është pjesë e këtij programi, janë siguruar fonde për pagesë të plotë dhe të rregullt të të gjitha ekonomive bujqësore dhe të gjitha subvencioneve”, deklaroi Ljupço Nikolovski, Ministër i Bujqësisë.
Në programin për mbështetje financiare për bujqësinë, Nikolovski paralajmëroi masa të reja për këtë vit, mes të cilave “naftën e gjelbër” për 55,000 fermerë, rritje të subvencioneve për stimulimin e prodhuesve të mollës për 7,000 denarë për hektar, rritje të subvencioneve për mollët për sipërfaqe deri në pesë hektarë për 10,400 denarë . Për tre herë rriten subvencionet për orizin nga 6,000 në 18,000 denarë për hektar, ndërsa më e madhe është edhe mbështetja për prodhuesit e lulediellit. Gjithashtu subvencionet rriten edhe në bagëti, për qumështin e deles dhe lopës nga katër në 4.5 denarë për litër. Nga 33 në 40 denarë rriten subvencionet për rritjen dhe therjen e zogjve të rritur artificialisht, me qëllim të stimulimit të prodhimit, nga 25 në 125 denarë rritet mbështetja për therjen e pulave për vezë. Ministri njoftoi se Qeveria në vendimin e fundit ka marrë vendimin për kompensimin e vreshtarëve dhe pritet deri në fund të muajit mars të paguhen paratë.