Bytyqi: Nuk ka nevojë për ribalanc për rritjet e paralajmëruara të rrogës minimale dhe pensioneve

Posted on February 22, 2022, 12:40 pm
4 mins

Nuk ka nevojë për ribalanc për rritjet e paralajmëruara të rrogës minimale dhe pensioneve sepse për atë janë siguruar mjete, deklaroi sot zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.

“Edhe për rrogën minimale edhe për pensionet nuk duhet të bëhet ribalanc. Ato tashmë janë planifikuar në Buxhet. Për pensionet, Fondi i Sigurimit Pensional Invalidor të Maqedonisë (SPIM) ka siguruar mjete për rritje të mundshme. Nuk duhet të shqetësohemi se do të marrim nga diku për t’u dhënë pensionistëve. pensionistët janë të siguruar me atë që kanë mjaft mjete në Fondin e SPIM-it”, tha Bytyqi, duke u përjgigjur në pyetje të gazetarëve pas konferencës së sotme të përbashkët me ministrat e Ekonomisë dhe të Arsimit dhe Shkencës, Kreshnik Bekteshi dhe Jeton Shaqiri.

Deri në fund të javës pritet të fillojnë bisedimet me të gjitha palët e interesuara për rritje të pensioneve, ndërsa zëvendëskryeministri Bytyqi thotë se do ta zbatojnë parimin e njejtë të negociatave si edhe për rrogën minimale, përkatësisht do të bisedojnë me të gjitha palët me qëllim që të gjendet zgjidhje e cila do të jetë e pranueshme për të gjithë.

“Këto ditë u koordinuam për të filluar dialog me të gjithë faktorët të cilët janë të prekur nga pensionet dhe me siguri nga fundi i javës do ta kemi takimin e parë në të cilin do të flitet nëse do të shkohet me ndërrim të metodologjisë apo ndihmë të njëfishtë e cila do të duhej të vijë drejt kategorive më të ndjeshme. Ajo që mund të them është se epilogu do të jetë i kënaqshëm për të gjitha palët e përfshira në dialog”, tha Bytyqi.

Lidhur me mendimet e disa ekspertëve se rritja e paralajmëruar e pensioneve do të kërkojë intervenim nga Buxheti, zëvendëskryeministri Bytyqi me porosi se raportet financiare të Fondit për sigurim pensional dhe invalidor për vitin e kaluar tregojnë se ka rritje të konsiderueshme të të ardhurave.

“E respektoj mendimin e komunitetit të ekspertëve, por konsideroj se qëndrimet duhet të jenë konsistente. Komuniteti i ekspertëve me siguri ka ekzistuar atje në 15 vitet e fundit dhe ka lejuar Fondi pensional të jetë aty ku është. Nëse i shikojnë mirë raportet financiare të Fondit, do të shohin se vitin e kaluar, edhe pse ishte vit i pandemisë dhe krizës ekonomike, ka të ardhura dukshëm të rritura për shkak të lëvizjes së vetë ekonomisë dhe lëvizjes së rrogave. Në një situatë të tillë, dhënia e konstatimit se kjo do ta rrisë nevojën nga ana e Buxhetit të intervenojë, mendoj se me siguri nuk i kanë respektuar mjaft mirë të dhënat nga SPIM-i”, tha Bytaqi.

Lidhur me reagimet e disa kompanive se janë pamundësuar t’i përdorin subvencionet e paralajmëruara për mbulim të dallimit në kontributet e rritjes së rrogës minimale, sepse tashmë shfrytëzojnë subvencion për pagesë të rrogave, Bytyqi sqaroi se kjo është bërë që të mos ketë koncentrim të ndihmës shtetërore në vend të njejtë dhe për dedikim të njejtë.