Ku mbeti posti i Zv/Kryeministrit për Reforma !?

Posted on February 04, 2019, 2:35 pm
6 mins

Reformat e shumë pritura nga Qeveria e Zaevit po kryhen më ritëm shumë të ngadaltë, Reformat në gjyqësi duhet të jenë thelbësore dhe të nisin të realizohen sa më parë që të jetë e mundur. Reforma në gjyqësor është një nga pikat kryesore të raportit të grupit të ekspertit të Bashkimit Evropian të udhëhequr nga gjermani Rajnhard Pribe, i cili ka detektuar pikat më dobëta jo vetëm të sistemit të drejtësisë, por edhe të institucioneve tjera në vend. Për këtë kryeministri Zaev në negociatat e zhvilluara me Aleancën për Shqiptarët i pati ofruar postin e Zv/Kryeministrit për Reforma, por që kreu i ASH-së e pati konsideruar si ofertë qesharake duke e quajtur “Ministri të Byrekut”.

Kryeministri Zaev këtë post e pati cilësuar si post shumë të rëndësishëm në atë kohë, por që tani e harroi këtë muhabet, gjegjësisht nuk e instaloi postin e zv/Kryeministrit për reforma në Qeverinë e tij.

Zaev pati theksuar se Aleanca për Shqiptarët ka vetëm dy deputetë dhe se në kohën kur është formuar Qeveria, ky post iu është dhënë atyre për shkak të mjekut të mirënjohur, z.Arben Taravari.

“Ne e ofruam postin e zëvendëskryeministrisë për reforma, duke marrë parasysh se me të vërtetë është parti e re që dëshiron të dëshmohet, udhëheq institucione serioze, mbi 20 vetëm në nivel qendror. Besuam se kjo mund të jetë e pranueshme për ta. Nga ana tjetër të gjithë ministrat janë të zënë me punë nga 1 nëntori, pasi përfunduan zgjedhjet lokale. Deri atëherë kishin më shumë se 70-80% pengesa për të kryer veprimtari të caktuara dhe thjeshtë nuk është e mundur që të ndryshohet cilido prej ministrave. z.Arben Taravari as nuk na njoftoi e as u konsultua, as Zijadin Sela. Dëgjuam nga mediat për vendimin e tij që të kandidohet për kryetar komune. Dhe në të vërtetë në një moment personalisht shpresova të mos zgjedhet, që të vazhdojë si Ministër i Shëndetësisë. Por vullneti i qytetarëve nuk preket. Kështu që këto janë vendimet. Unë shpresoj se vendimi I tyre për të mbetur në Qeveri nënkupton pranim të zëvendëskryeministrisë për reforma”, pati deklaruar kryeministri Zoran Zaev më 25 dhjetor të vitit 2017.

Nga ana tjetër kreu i ASH-së, Ziadin Sela siç thamë edhe më parë, këtë ofertë të kryeministrit e hodhi poshtë duke i thënë se këtë post mund të ua ofroj BDI-së por jo edhe partisë së tij.

Propozimin e Zoran Zaevit, se ASH-ja të udhëheqë me zëvendëskryeminstrin për reforma, Sela e quajti “ministri të byrekut”.

Parashtrohet pyetja pse tani ky dikaster nuk është i rëndësishëm kur e dimë se reformat në Maqedoni kanë ngecur dhe për këtë Maqedonia ka vërejtje edhe nga KE. Qeveria aktuale muajt e kaluar është fokusuar totalisht në zgjidhjen e çështjes së emrit por jo edhe në reformat që njëherit janë edhe kusht për aderimin gjegjësisht hapjen e bisedimeve për në BE.  Pse kryeministri nuk e instaloi postin në fjalë, edhe përkundër faktit që ASH e refuzoi, ai mund këtë post të ua kishte ofruar edhe partnerit tjetër të tij, BDI-së? Apo ndoshta edhe BDI të njejtin post e konsideron totalisht si të parëndësishëm dhe të panevojshëm nga fakti që “zv/kryeministri për reforma” u shuajt si temë që më herët kryeministri e aktualizoi?

Ish politikani Zudi Xhelili në një prononcim për Zhurnal shprehet se  kemi situat të njejtë me çdo pushtet, dhe se në vendin tonë gati se çdo marrëveshje është sa për sy e faqe.

Sipas tij premtimet që i japin u shërbejnë për të fituar kohë, bazohen në aftësi për të mashtruar e jo në seriozitet dhe parime.

“Kryeministri Zaev nga momenti që ASH  u pati ofruar postin e zv/Kryeministrit për Reforma e ka ditur që është shpikje momentale. Në qeveri shpikën poste të tilla dhe egzistojne sa për të knaqur ambicje të caktuara të grupeve formale. Reformat janë detyra kryesore e një qeverie që premtoi ndryshime, prandaj ky segment edhe do të udhëhiqet nga vet kryeministri dhe partia e tij, ndërsa tjerët janë vetëm për të plotësuar vende!”, ka deklaruar për Zhurnal, ish deputeti Zudi Xhelili.