Zoran Gjokiq, i arrestuar nga Policia e Kosovës mbrëmë rreth orës 21:50 në pikën kufitare në Jarinjë si i dyshuar për krime lufte, është paraqitur në Gjykatën Themelore të Pejës ku ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorit special të Kosovës të ketë kryer krime lufte në Pejë gjatë luftës në Kosovë më 1999.
Kështu ka thënë Lubomir Pantoviq, avokati i tij për agjencinë serbe të lajmeve me bazë në Republikën Serbe në Bosnje, “Srna”.
Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit që Gjokiqi të mbetet në paraburgim deri në marrjen e një vendimi, i cili, sipas Pantoviqit, palës mbrojtëse do t’i dorëzohet të dielën ose të hënën.
“Prokurori ka kërkuar që Gjokiqi të mbetet në paraburgim prej 30 ditësh, por klienti im, duke demantuar akuzën, ka paraqitur dëshmi valide që hedhin poshtë pretendimet e prokurorisë”, tha Pantoviqi.
Gjokiq (48 vjeç) u arrestua mbrëmë në pikën kufitare të Jarinjës nën dyshimit për krime lufte gjatë luftës në Kosovë. Ai u arrestua në bazë të urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata Themelore – Departamenti për Krime të rënda në Pejë, ndërsa sot nga qendra e paraburgimit në Prishtinë u dërgua në Pejë, ku do të qëndrojë deri në marrjen e vendimit.