Prishtinë,31 janar – Në media përflitej prej ditësh, por tani duket se ka një konfirmim edhe nga zyrtarët vendas. Rita Ora do të jetë në Prishtine më 17 shkurt, me rastin e Pavarësisë së Kosovës.Institucionet kosovare janë duke përgatitur festime masive me rastin e dekadës së parë të mëvetësisë.
Edhe pse zyrtarët atje nuk kanë pranuar të japin detaje, ata thonë se surprizat për qytetarët nuk do të mungojnë dhe prania e këngëtares së famshme 27-vjeçare, që po shijon së fundi majat e suksesit, ka për ta ndezur padyshim atmosferën.
Sipas shtypit vendas, Rita, e cila koncertin e fundit në vendlindje e ka realizuar në vitin 2015 kur realizoi edhe videoklipin e këngës “Shine Ya Light” në qytete të ndryshme të Kosovës, e ka pranuar ftesën.
Ndërsa një tjetër emër që po bën bujë sot në botë, Dua Lipa, gjithmonë nga sa raportojnë mediet në Kosovë, ka kërkuar të paguhet për një performancë në Prishtinë më 17 shkurt. Shuma e përmendur prej tyre është 200 mijë euro.
Rita vet nuk ka dashur të kompensohet financiarisht, e kjo është vlerësuar nga disa zyrtarë kosovarë, që thonë se një gjest i tillë flet shumë për personalitetin e 27-vjeçares.