Kompania britanike, Kahn Design, është e njohur për modifikimin e modeleve të Land Roverit dhe Range Roverit, si dhe të Wranglerit të Jeepit, ndërsa tani ajo është marrë, për të tretën herë, edhe me modifikimin e modelit luksoz të Bentleyt, Bentayga.
Fillimisht, në vitin 2017, ka prezantuar modelin Bentayga Le Mans Edition, vitin e kaluar Bentayga Diablo Edition, ndërsa tani prezanton modelin e quajtur Bentayga Centenary Edition, transmeton Koha.net. Ky model i ri vjen me motor benzinë 4.0-litër V8.
Bentley Bentayga Centenary Edition, është një model i cili kombinon trashëgimin krenare të brendit Bentley dhe një qasje moderne që e bën këtë veturë më luksoze dhe ekskluzive.
Gjithashtu, Bentayga Centenary Edition vjen me eksterier me ngjyrë të zezë, mbrojtësin e ri të përparmë shtesë (spoiler) i bërë nga fibra të karbonit, maskën e përparme të re, mbrojtësin shtesë (spoiler) mbi bagazh, mbrojtësin e ri të pasmë shtesë (spoiler), set të ri të rrotave “Le Mans” prej 23-inç nga alumini me goma “Continental” 295x35x23, amortizatorët e rinj, interier prej lëkure “Herringbone”, timonin prej lëkure, etj.
Kahn Design, po ashtu, ofron edhe interierin prej lëkure Nappa dhe Alcantara, si dhe një numër mundësish për personalizim.
Sa i përket çmimit, Bentley Bentayga Centenary Edition kushton 169,999 funte.



