Gruevski, kërkon “bombat”

Posted on January 31, 2018, 5:16 pm
2 mins

Shkup, 31 janar – Nikolla Gruevski dhe ish bashkëpunëtorët e tij të afërt, Mile Janakieski, Vlladimir Peshevski dhe Lupço Georgievski kërkojnë që Prokuroria Speciale t’ua jep bombat për këtë gjoja provizionet e kontraktuara kineze për ndërtimin e akseve Kërçovë- Ohër dhe Miladinovc- Shtip. Përmes avokatëve të tyre, katër të akuzuarit, përveç 315 përgjimeve në mesin e të cilave ka edhe biseda të papublikuara, i kërkuan edhe mesazhet që i kanë këmbyer. Avokatët nuk pranuan që bombat t’i dëgjojnë në hapësirat e Speciales. Mbrojtja në mënyrë shtesë e konteston edhe ekspertizën të cilën Specialja e ka porositur për vlerësimin e dëmit të shkaktuar eventual gjatë kontraktimit të biznesit milionësh me kompaninë kineze “Sinohidro” e cila ndërton autostradat.

Analiza profesioniste është bërë nga një kompani italiane, e cila ka hapur degë në Maqedoni. Kontestues është pjesa se, të dy ekspertët sipas avokatëve, nuk kanë poseduar licenca në momentin e përpilimit të raportit. Mbrojtja citonte pjesë të Ligjit për shoqata tregtare, përmes të cilit do të tentoj të dëshmojë se dega e kompanisë italiane nuk i ka plotësuar bazat ligjore për ekspertizë sepse nuk ka pasur të punësuar minimum dy ekspertë të autorizuar.

Gjykimi pritet të vazhdojë më 14 shkurt. Sipas PSP-së, të akuzuarit i kanë tejkaluar autorizimet zyrtare gjatë kontraktimit për ndërtimin e akseve Kërçovë- Ohër dhe Milladinovc- Shtip, duke dëmtuar kështu buxhetin me 155 milionë euro.

Por, edhe krahas kësaj, qeveria e re pritet të firmos marrëveshje të re me kompaninë “Sinohidro” në vlerë prej 240 milionë eurove shtesë që do të derdhen në arkën e kinezëve si dhe do t’u jepen tre vite shtesë për vazhdimin e autostradës Kërçovë- Ohër.