“ARTIZANATET DHE GRUAJA” hap edicionin e tretë në Shkup

Posted on April 13, 2019, 8:09 pm
2 mins

Shoqata për promovimin dhe zhvillimin e kulturës “Porta Skupi”, sot në mjediset e Suli- Anit në Çarshi të Vjetër hapi edicionin e tretë të  manifestimit kulturor “Artizanatet dhe gruaja”.  Në këtë panair prezantohen vlerat dhe artizanatet e grave,  filigran, dantella dhe punime të tjera, si dhe ushqime tradicionale të gatuara nga vet gratë e pranishme.

Kryetarja e Shoqatës për promovimin dhe zhvillimin e kulturës “Porta Skupi”, Arlinda Kalisa u shpreh se: “Qëllimi i këtij Panairi  të tretë është që gratë tona të mund të prezantojnë vlerat dhe artizanatet e tyre të vjetra, të mirëfillta të trashëguara brez pres brezi”.

Ndërkohë, manifestimin me praninë e tij e nderoi edhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu i cili tha se “projekte të këtilla, në të ardhmen fuqishëm do të përkrahen dhe se mirëpritet zgjerimi me përfshirje të grave nga trojet mbarëshqiptare, duke filluar nga Prizreni, Ulqini dhe vendet e tjera”.Ndryshe, këtë manifestim kulturor me prezencën e tyre  e nderuan Xhane Kreshova, kryetare e Lidhjes së Gruas Tetovë, Edlira Destani nga Shoqata “Ylberi”, Halide Palloshi, anëtare e Këshillit të Qytetit të Shkupit si dhe gra me profile të ndryshme, pjesëmarrëse aktive në jetën shoqërore të vendit. Projektin e mbështetën, Ministria e Kulturës , Komuna Çair, Kompania “Tikvesh”, Telekomi i Maqedonisë dhe Radio Shkupi.