Kina ushtron presion mbi aleatët amerikanë

Posted on February 04, 2019, 3:07 pm
8 mins

Përderisa tensionet midis Kinës dhe SHBA-së bazohen te tregtia dhe ekstradimi i një drejtueseje të lartë të kompanisë së mirënjohur kineze në fushën e teknologjisë telefonike “Huawei”, Pekini ka rezervuar një gjuhë të ashpër ndaj aleatëve të Amerikës.

Ditë më parë ministria e Jashtme e Kinës i bëri thirrje Kanadasë të “ndalojë të hequri nga zjarri gështenjat për llogari të SHBA-së”, pas anulimit të një padie prej 13 akuzash kundër zyrtares kryesore të kompanisë “Huawei” Meng Wanzhou, e cila u arrestua në Kanadaja dhjetorin e vitit të shkuar.

Në një editorial të botuar në gazetën kineze në gjuhën angleze “The Global Times”, në pronësi shtetërore, mesazhi ishte tepër i qartë: “Ju nuk mund të jetoni si një e përdalë dhe të prisni më pas një monument në shenjë nderimi për dëlirësinë tuaj… Nëse Kanadaja këmbëngul te praktikat e saj të gabuara, ajo duhet të paguajë për këtë”.

Kina po përpiqet ta izolojë SHBA-në

Analistët thonë se Kina po përpiqet ta izolojë SHBA-në nëpërmjet presionit që po ushtron ndaj aleatëve të saj. Dy shtetas kanadezë mbeten në paraburgim në Kinë për akuza të paspecifikuara në lidhje me rrezikimin e sigurisë kombëtare dhe një i tretë është dënuar tashmë me vdekje për trafik droge pas një rigjykimi të papritur, raste këto që besohet gjerësisht të jenë një hakmarrje e pastër ndaj arrestimit të Meng në Otava me kërkesën e Shteteve të Bashkuara. “Kina po përpiqet të përçajë dhe të sundojë. Ajo dëshiron të vendosë nën një presion maksimal vende të veçanta, duke penguar qëndrimin e tyre në një front të përbashkët kundër saj”, thotë Tom Rajt, drejtor i Qendrës për Shtetet e Bashkuara dhe Evropë në institutin “Brukings” në Uashington.

Por Kanadaja nuk është aleatja e vetme e SHBA-së që sipas Pekinit është rreshtuar në anën e gabuar. Mediet shtetërore kineze e quajtën Poloninë një “bashkëpunëtore të SHBA-së”, duke thënë se Varshava “duhet të paguajë për shkeljet e saj”, pasi autoritetet polake arrestuan një punonjës të “Huawei”-t pas dyshimeve për spiunazh.

Ndërkohë, shkrimtari australiano-kinez Jang Hengjun u ndalua në Kinë vetëm disa javë pasi Australia shprehu shqetësim rreth ndalimit në Kinë të disa qytetarëve kanadezë. Zyrtarët australianë thonë se nuk besojnë se arrestimi i Jang të jetë i lidhur me rastin “Huawei”. “Një taktikë që Partia Komuniste Kineze duket se është duke e përdorur është përpjekja për të krijuar përçarje mes SHBA-së dhe aleatëve të saj, me qëllim që t’i detyrojë këto vende të bëjnë një zgjedhje midis SHBA-së dhe Kinës”, mendon Samanta Hofman, një analiste e njohur mbi politikat kineze të sigurisë, transmeton zeri.info.

Nën presidentin Xi Jinping Kina i është larguar një politike të vjetër disadakadëshe të mbajtjes së një profili të ulët, për ta ekspozuar më shumë veten në skenën ndërkombëtare. Ajo po përpiqet të realizojë projekte në shumë vende si Nisma e Brezit dhe Rrugës, një investim i madh global që do të përfshijë më shumë se 70 vende dhe më shumë se një të tretën e PBB-së globale.

Ndërsa prania ekonomike e Kinës rritet në të gjithë botën, lobimi i saj është zgjeruar tek aleatët e SHBA-së në NATO dhe partnerët e tjerë të SHBA-së, sipas Rori Deniels, një ekspert i sigurisë në Azi. “Ajo që ka bërë Pekini është dhënia e aleatëve të SHBA-së e një roli në rritjen ekonomike të vazhdueshme të Kinës, për t’i përdorur këto lidhje ekonomike si levë për të shpërblyer ose ndëshkuar aleatët në përputhje me interesat e Kinës”, thekson Daniels.

Përpjekjet e tilla mund të jenë kundërproduktive

Por veç “karotave” në formën e stimujve ekonomikë, vëzhguesit shqetësohen se Pekini po përdor gjithnjë e më shumë “shkopinjtë”. Të dy qytetarët kanadezë, ish-diplomati Majkëll Kovrig dhe sipërmarrësi Majkëll u arrestuan brenda 10 ditëve nga arrestimi i Meng në Kanada.

Në të njëjtin muaj një gjykatë urdhëroi befas rigjykimin e kanadezit Robert Shelenberg, i dënuar më parë me 15 vjet burg për trafik droge, në një çështje që kërkoi më shumë se 3 vjet për t’u gjykuar. “Qeveria kineze po ua vështirëson shumë reagimin qeverive demokratike. Kjo pasi demokracitë liberale nuk mund t’u përgjigjen me të njëjtën monedhë taktikave të PRC-së pa dëmtuar sistemet e tyre politike”, thotë Hofman.

Përpjekje të tilla mund të jenë kundërproduktive me më shumë vende që dëshirojnë të marrin një qasje më të ashpër kundër Kinës, duke bllokuar produktet dhe shërbimet e “Huawei”-t. Gjermania po merr në shqyrtim mundësinë e ndalimit të pajisjeve 5G të kompanisë kineze.

Zelanda e Re dhe Australia kanë ndaluar tashmë përdorimin e pajisjeve të saj, ndërsa “British Telekom” në Britaninë të Madhe tha se e kishte hequr markën “Huawei” nga qarkullimi. Të tjerë theksojnë se përpjekjet e Kinës nuk ndryshojnë nga fushatat lobuese dhe diplomatike të shumicës së vendeve. “Ajo që po bën Kina është e natyrshme dhe s’ka të bëjë me ushtrimin e presionit. Kjo nuk ka funksionuar në një periudhë afatshkurtër, por në planin afatgjatë do të funksionojë”, thotë Shi Jinhong, profesor në Universitetin Renmin dhe ekspert në marrëdhëniet SHBA – Kinë. / “The Guardian”